Gjatë përvojës sime me fëmijët parashkollorë, shpesh ndalem për të reflektuar: Çfarë e bën një aktivitet me të vërtetë të veçantë? Si mund të jetë në hap me kohën, kreativ dhe njëkohësisht të përmbushë objektivat edukative?
Në këtë blog dua të ndaj me ju një qasje të thjeshtë dhe të lehtë për t’u zbatuar një udhëzues që mund të ndihmojë çdo edukator të ndërtojë aktivitete me vlerë dhe ndikim për fëmijët e klasës së tij/saj.
Fillo gjithmonë me qëllimin
Çdo aktivitet duhet të nisë me pyetjen thelbësore: “Çfarë duam që fëmijët të mësojnë?”
Aktivitetet nuk duhet të zhvillohen vetëm sepse janë në modë apo i ke parë diku tjetër. Në bazë të temës (lëndës mësimore), përcakto qartë rezultatet e të nxënit dhe sigurohu që ato të jenë në përputhje me etapat zhvillimore të moshës.
Shembull: Nëse tema është “Ndjenjat” në lëndën Shoqëria dhe Mjedisi, qëllimi mund të jetë: “Fëmijët të identifikojnë, emërtojnë dhe menaxhojnë ndjenjat bazë si gëzimi, trishtimi, frika dhe zemërimi.”
Përdor teknologjinë dhe përmbajtjen bashkëkohore me mençuri
Teknologjia mund të jetë një ndihmë e fuqishme, kur përdoret në mënyrë të qëllimshme.
Shfrytëzo video edukative të animuara dhe aplikacione interaktive që nxisin të nxënit. Ajo mund të shërbejë si një urë drejt përfshirjes më të madhe dhe kuptimit më të thellë.
Shembull: Një video me personazhe që përjetojnë emocione të ndryshme mund të jetë një pikënisje shumë e mirë për diskutim me fëmijët.
Zhvillo aktivitetin në mënyrë krijuese dhe gjithëpërfshirëse
Kreativiteti është zemra e mësimdhënies në arsimin e hershëm.
Përdor artin, muzikën, dramën, lëvizjen fizike çdo formë që i lejon fëmijët të shprehen lirshëm është e mirëpritur. Jepu mundësinë të zgjedhin mënyrën e tyre të shprehjes.
Shembull: Pas shikimit të videos, fëmijët mund të krijojnë maska që përfaqësojnë emocione dhe të tregojnë raste kur janë ndjerë në atë mënyrë. Mund të ushtrojnë mimikën përpara pasqyrës për të shprehur ndjenjat në mënyrë jo-verbale.
Lidhe aktivitetin me përvojën personale të fëmijëve
Sa më shumë që një aktivitet lidhet me botën personale të fëmijës, aq më shumë ai bëhet domethënës dhe i paharrueshëm.
Bëj pyetje që i nxisin të reflektojnë: “Kur je ndjerë i gëzuar?”, “Çfarë të frikëson?” Apo pyetje të ndjeshme si: “Në cilën pjesë të trupit e ndjen trishtimin?”
Shembull: Jepu një fletë me trupin e njeriut të vizatuar dhe lërini të ngjyrosin me të zezë pjesën ku ndjejnë dhimbjen. Kjo ndihmon në vetë-shprehje dhe ndjeshmëri.
Vlerësimi nuk ka pse të jetë formal për të qenë i vlefshëm
Jo çdo vlerësim duhet të jetë i strukturuar apo me fletë. Shpesh, formalitetet humbin thelbin e përvojës.
Vëzhgo sjelljen dhe reagimet gjatë aktivitetit, dokumento përmes fotografive apo punimeve të tyre. Flisni me fëmijët për atë që mësuan apo ndjenë.
Reflektimi mbi përvojën është gjithmonë një mjet i fuqishëm për të nxitur rritje.
Reflekto dhe përshtat aktivitetin
Pas çdo aktiviteti, ndalu për të reflektuar:
-
A u arrit qëllimi?
-
A ishin fëmijët të angazhuar?
-
Çfarë mund të bëhet ndryshe herën tjetër?
Përfshi edhe fëmijët në reflektim: kërko që ata të japin sinjal me shuplakë të hapur nëse ndiheshin të kënaqur, ose me grusht të mbyllur nëse jo. Kjo është një mënyrë e thjeshtë por efektive për të dëgjuar zërin e tyre.
Një aktivitet i suksesshëm në parashkollor ndërthur kreativitetin me qëllimin, përmbajtjen aktuale me përvojën personale gjithmonë duke pasur në qendër zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijës.
Nëse je edukator, prind apo profesionist i fushës së fëmijërisë së hershme mos harro: çdo moment është një mundësi për të mësuar dhe për të ndriçuar botën e një fëmije.