Parandalimi i lodhjes emocionale tek edukatorët: event ndërgjegjësues me ekspertë të fushës! - kidsday

Më 3 Korrik 2025, u organizua një event i dedikuar temës së ndjeshme dhe gjithnjë më të rëndësishme për profesionistët e edukimit të hershëm: “Si ta parandalojmë lodhjen emocionale dhe konsumimin profesional tek edukatorët.” Ky aktivitet u realizua nga bashkëpunimi mes Bliss, platformë që synon përmirësimin e mirëqenies mendore, dhe kidsday, kompani që punon për të krijuar një ndikim pozitiv në edukimin e fëmijërisë së hershme përmes zgjidhjeve digjitale dhe mbështetjes për profesionistët e fushës.

Eventi mblodhi së bashku edukatorë, drejtues institucionesh, studentë të pedagogjisë dhe ekspertë të arsimit për të ndarë përvoja konkrete, këshilla profesionale dhe qasje të dobishme për të parandaluar lodhjen emocionale dhe djegien profesionale (burnout) që shpesh i shoqëron profesionistët në fushën e edukimit të hershëm.

Paneli ishte i përbërë nga zëra me eksperiencë dhe përkushtim në këtë fushë:

  • Lorik Zhitia – edukator dhe drejtor i planprogramit në Let Center, i cili solli perspektivën e tij praktike dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për edukatorët.

  • Gëzime Rexhepi – udhëheqëse në rrjetin e çerdheve Bardha, ndau përvojat institucionale dhe praktikat e mira për të ruajtur motivimin dhe mirëqenien e stafit edukativ.

  • Nafije Sylejmani – psikologe në Bliss, e cila theksoi rëndësinë e identifikimit të hershëm të simptomave të lodhjes emocionale dhe dhuroi këshilla të dobishme për vetëkujdes dhe menaxhim të stresit.

Eventi u moderua në mënyrë të shkëlqyer nga Arilda Dushaj, psikologe në Bliss. Me qasjen e saj profesionale dhe qetësinë në drejtim, Arilda krijoi një rrjedhë të natyrshme të diskutimit dhe siguroi që secili panelist të sillte në pah perspektivën e tij me thellësi dhe ndjeshmëri. Ajo ndihmoi që diskutimi të zhvillohej në një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese.

Gjatë diskutimit, u trajtuan shenjat që shpesh shfaqen kur një edukator po përjeton djegie profesionale përfshirë: ndjenjën e mungesës së motivimit, irritueshmërinë, lodhjen kronike dhe ndarjen emocionale nga puna. U diskutuan gjithashtu strategjitë parandaluese si ndarja e përgjegjësive, krijimi i një klime mbështetëse në punë dhe rëndësia e kujdesit për vetveten.

Ky event shërbeu jo vetëm si platformë për reflektim dhe ndërgjegjësim, por edhe si hap i parë drejt krijimit të një komuniteti profesional më të qëndrueshëm dhe të ndërgjegjshëm për nevojat emocionale të atyre që kujdesen për fëmijët tanë çdo ditë.

Fillo Sot! FALAS.

Fillo provën tënde
Caktoni një prezantim