Në mjedisin e çerdheve dhe kopshteve, siguria emocionale e fëmijëve është baza për çdo përvojë pozitive që ata përjetojnë. Shpesh, fokusohemi tek organizimi i aktiviteteve, materialet e mësimdhënies dhe rutina e përditshme por harrojmë një komponent po aq të rëndësishëm: toni i zërit dhe gjuha jonë trupore. Këto elemente “të padukshme” kanë një ndikim të thellë në mënyrën se si fëmijët ndihen në ambientin edukativ.
Toni i zërit është një nga mënyrat më të fuqishme për të ndërtuar siguri ose për të krijuar pasiguri. Një zë i butë, i ngadaltë dhe me intonacion të qëndrueshëm i dërgon fëmijës mesazhin: “Je i sigurt. Jam këtu për ty.” Në të kundërt, një ton i ngritur, i padurueshëm apo i mprehtë – edhe nëse nuk ka fjalë negative – mund të shkaktojë ankth dhe tërheqje emocionale tek fëmija.
Shembull praktik: Një fëmijë është duke qarë pas ndarjes me prindin.
Reagimi A: “Eja, mjaftë qave tani!”
Reagimi B: “E di që është e vështirë. Jam këtu me ty, mund të qash sa të duash.”
Ndryshimi nuk qëndron vetëm në përmbajtje, por në mënyrën si thuhet – me empati dhe qetësi.
Gjuha trupore: Trupi ynë flet para fjalëve
Fëmijët e vegjël janë lexues të shkëlqyer të gjuhës trupore. Ata kuptojnë më shumë nga qëndrimi ynë, kontakti me sy, buzëqeshja dhe mënyra si afrohemi, sesa nga fjalët që përdorim. Një edukatore që ulet në nivelin e syve të fëmijës, që mban trupin të hapur dhe ofron kontakt fizik të butë (si një përqafim ose prekje në shpatull), krijon një ndjesi afërsie dhe sigurie.
Situatat e stresit: Testi i vërtetë i qasjes sonë
Është e lehtë të ruajmë tonin e butë kur gjithçka shkon mirë, por vështirësitë lindin në situata sfiduese: kur fëmijët janë të zhurmshëm, nuk binden, apo qajnë me ngulm. Pikërisht në ato momente, reagimi ynë bën diferencën mes një fëmije që ndjehet i dëgjuar dhe i sigurt – dhe një fëmije që tërhiqet, frikësohet apo ndjehet i refuzuar.
Këshilla praktike në situata sfiduese:
-
Merrni frymë thellë para se të reagoni
-
Uluni në nivelin e fëmijës
-
Flisni me një zë të ulët, të qartë dhe pa ironi
-
Reflektoni ndjenjën që fëmija shfaq (“Duket sikur je shumë i/e mërzitur…”)
Vetë-reflektimi: Një mjet për zhvillim profesional dhe emocional
Të vetë-reflektosh nuk do të thotë të fajësosh veten, por të njohësh reagimet e tua dhe ndikimin që ato kanë tek fëmijët. Pyetje që mund të bëni pas një dite pune:
-
Në cilat momente u ndjeva e tensionuar?
-
Si e përdora zërin tim sot? A ndihmoi në qetësimin e fëmijëve?
-
A kishte ndonjë fëmijë që u tërhoq kur iu afrova? Si ishte qëndrimi im trupor?
Ky vetëvëzhgim na ndihmon të jemi më të vetëdijshëm dhe të përmirësojmë qasjen tonë çdo ditë.
Si ndihmon kidsday në këtë proces?
Përdorimi i aplikacionit Kidsday për të raportuar ditën e fëmijëve, për të ndarë foto dhe për të dokumentuar vëzhgimet, ndihmon edukatoren të reflektojë dhe të shohë përparimin emocional të secilit fëmijë me kalimin e kohës. Edukatoret që përfshijnë detaje mbi mënyrën si fëmijët ndihen në përditshmëri, zhvillojnë një ndjeshmëri më të lartë ndaj nevojave emocionale dhe përforcojnë lidhjen me prindërit.
Zëri dhe qëndrimi i edukatores janë “gjëra të padukshme” por shumë të fuqishme në ndërtimin e ndjesisë së sigurisë tek fëmijët. Kur fëmijët ndihen të sigurt emocionalisht, ata janë më të hapur për të mësuar, për të eksploruar dhe për të krijuar marrëdhënie pozitive. Dhe gjithçka fillon me një ton të butë, një qëndrim të hapur dhe një zemër të pranishme.