Pas suksesit të takimit të parë, kidsday zhvilloi eventin e dytë profesional me edukatorë në Tiranë, duke vendosur në qendër të vëmendjes një temë të domosdoshme për kujdesin dhe mirëqenien e stafit edukativ:
“Si ta parandalojmë lodhjen emocionale dhe djegien profesionale?”
Në partneritet me platformën Bliss, ky aktivitet solli së bashku edukatorë, drejtues të institucioneve të edukimit të hershëm, si dhe profesionistë të shëndetit mendor, me qëllimin e përbashkët për të reflektuar dhe ndarë njohuri mbi mënyrat se si mund të ruajmë qëndrueshmërinë emocionale në mjediset arsimore aty ku kërkesat janë të larta, ndërsa përkushtimi është i vazhdueshëm.
Paneli i diskutimit përfshiu profesionistë me përvojë të thellë dhe kontribute të vyera në fushën e edukimit dhe mirëqenies psikologjike:
-
Lori Duro, edukatore me eksperiencë dhe aktualisht drejtuese e kopshtit Buzëqumësht, solli përvoja të drejtpërdrejta nga puna e përditshme me edukatorët dhe ndau praktika konkrete që ndihmojnë në ndërtimin e një ambienti pune të shëndetshëm, të mbështetur dhe motivues për stafin pedagogjik.
-
Hava Jareci, drejtuese e një institucioni edukativ, ndau perspektivën e saj mbi rëndësinë e lidershipit të ndjeshëm dhe përfshirës në ruajtjen e mirëqenies së stafit. Ajo theksoi se drejtuesit kanë një rol thelbësor në krijimin e një kulture pune ku edukatorët ndihen të vlerësuar, të dëgjuar dhe të përkrahur.
-
Irena Shanaj, psikologe, ofroi një qasje profesionale mbi identifikimin e hershëm të simptomave të lodhjes emocionale dhe djegies profesionale. Ajo ndau mjete praktike për vetë-reflektim dhe ndërhyrje të shpejtë, duke nxitur edukatorët të vendosin mirëqenien e tyre personale si një përparësi thelbësore në punën që bëjnë.
Ky event u organizua me qëllimin për të hapur një diskutim të sinqertë dhe të strukturuar mbi sfidat e shëndetit emocional që përjetojnë edukatorët në baza të përditshme dhe për të ndërtuar ura mbështetjeje përtej institucioneve.
Vetëm një edukator i mirëqenë emocionalisht, i mbështetur dhe i vlerësuar, mund të ofrojë një përvojë të qëndrueshme dhe të dashur për fëmijët.
Në kidsday, besojmë fort se teknologjia duhet të shërbejë si një mjet për lehtësimin e punës së edukatorëve, por gjithashtu edhe si një platformë që i bashkon, i fuqizon dhe i mbështet në rrugëtimin e tyre profesional.
Kjo është arsyeja pse përveç zgjidhjeve digjitale për menaxhimin e përditshëm të institucioneve, ne angazhohemi aktivisht edhe në organizimin e eventeve me përmbajtje të thellë profesionale, ku vlera kryesore është njeriu dhe zhvillimi i tij i qëndrueshëm.