„Përgatitja e mirë krijon kopsht të sigurt dhe të suksesshëm.“
Hapja e një çerdheje apo kopshti është një hap i rëndësishëm dhe me përgjegjësi të lartë, pasi lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien, sigurinë dhe zhvillimin e fëmijëve. Për këtë arsye, procesi i licencimit kërkon përgatitje të kujdesshme, dokumentacion të plotë dhe përmbushje të standardeve ligjore e profesionale të përcaktuara nga institucionet përkatëse.
Përgatitja e hershme është kyçe. Para se të dorëzoni kërkesën për licencim, është e rëndësishme të analizoni çdo detaj: nga objekti dhe infrastruktura, te stafi profesional, programet edukative dhe aspektet administrative. Një qasje e strukturuar jo vetëm që e lehtëson procesin e licencimit, por krijon edhe themele të shëndosha për funksionimin afatgjatë të institucionit tuaj.
Më poshtë gjeni një listë të detajuar të dokumenteve dhe hapave të nevojshëm për licencimin e Institucioneve të Edukimit dhe Arsimit Parashkollor Privat (IEAPP)
Shkurt
„Përgatitja e mirë krijon kopsht të sigurt dhe të suksesshëm.“
Dokumentet dhe kriteret e nevojshme për licencim
1. Dokumentacioni bazë administrativ
- Kërkesa zyrtare për licencim;
- Certifikata e regjistrimit të biznesit nga organi kompetent;
- Dëshmia për pronësinë ose kontrata e qirasë së objektit;
- Vendi, adresa, numri i telefonit dhe email-adresa e IEAPP-së;
- Statuti për qeverisje;
- Rregullorja për rendin shtëpiak;
- Kodi i mirësjelljes i IEAPP-së;
- Forma e kontratës ndërmjet IEAPP-së dhe prindit apo kujdestarit të fëmijës;
- Vërtetimi nga organi kompetent që parashtruesi i kërkesës nuk është ndjekur penalisht.
2. Dokumentacioni organizativ dhe zhvillimor
- Struktura organizative e IEAPP-së (organogrami);
- Plani zhvillimor i IEAPP-së për periudhën trevjeçare;
- Plani i biznesit i IEAPP-së për së paku 3 vjet;
- Numri i edukatoreve sipas numrit të grupeve të fëmijëve të planifikuar për një vit shkollor;
- Shuma mujore e pagesës për fëmijë;
- Lista e kuadrit me kualifikime në përputhje me legjislacionin në fuqi për edukimin parashkollor;
- Diplomat dhe certifikatat e verifikuara të stafit;
- IEAPP duhet të ketë të angazhuar së paku një pedagog ose psikolog.
3. Programet edukative
- Çertifikata për vijueshmërinë e edukimit parafillor;
- Planprogramet e MASHT-it;
- Programet edukative sipas grupeve, të përcaktuara me Ligjin për Edukimin Parashkollor;
- Plani dhe programi vjetor i punës së IEAPP-së sipas standardeve të MASHT-it;
- Përfshirja e fëmijëve në grupe edukative sipas grup-moshave, e rregulluar sipas akteve nënligjore në fuqi.
4. Kushtet infrastrukturore dhe teknike
- Objektet edukativo-arsimore duhet të kenë etazhitet maksimal P+1 (përdhesë dhe një kat);
- Projekti ideor i objektit – faza e arkitekturës;
- Vërtetimi mbi plotësimin e kushteve higjieno-sanitare;
- Vërtetimi mbi sigurinë nga zjarri.
5. Siguria dhe shëndeti
- Për vërtetimin e kushteve higjieno-sanitare: stafi duhet të pajiset me librezë sanitare (kontrolle në IPKShP – strisho hundë, fyt dhe analiza të fecesit);
- Kërkesa për verifikim dorëzohet në AVUK, ku inspektorët dalin në terren për të vlerësuar nëse objekti i përmbush kriteret;
- Për sigurinë nga zjarri: së paku dy anëtarë të stafit duhet të pajisen me certifikata kundër zjarrit; kërkesa dorëzohet në komunë dhe më pas realizohet inspektimi në objekt.
6. Garancioni financiar
- Garancioni bankar në vlerë 10% të të hyrave të planifikuara vjetore, i cili dorëzohet në MASHT me rastin e licencimit ose përtëritjes së licencës.
Pasi të sigurohen dy vendimet kryesore:
- Vërtetimi për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare;
- Vërtetimi për sigurinë nga zjarri;
Të gjithë dokumentet e tjera dorëzohen në MASHT për shqyrtim. Duhet theksuar se dokumentacioni i pakompletuar nuk shqyrtohet, prandaj është thelbësore që dosja të jetë e plotë dhe e rregullt.
Procesi i licencimit kërkon kohë, përkushtim dhe organizim të mirë. Duke u përgatitur në mënyrë profesionale dhe duke respektuar të gjitha kriteret ligjore, ju jo vetëm që e përshpejtoni procesin e licencimit, por krijoni një institucion të sigurt, cilësor dhe të besueshëm për fëmijët dhe prindërit. Një fillim i mirë është baza e suksesit afatgjatë në edukimin parashkollor.



